Malisheva është rikthyer te fitoret në kampionat, pasi ka mposhtur Llapin me rezultat të ngushtë 2-1.
Vendasit e nisën shumë mirë ndeshjen, kur vetëm pas tetë minutave lojë kaluan në epërsi.
Etnik Brruti gjuajti bukur, derisa pas një gabimi të portierit Ilir Avdyli afër golit u gjend Valmir Berisha i cili realizoi për 1-0.
Valmir Berisha sërish u gjend bukur afër golit 20 minuta më vonë ku realizoi për 2-0 duke i dhënë epërsi të lartë Malishevës.
Me epërsinë 2-0 të skuadrës vendase u mbyllën 45 minutat e para në këtë sfidë.
Pjesa e dytë ishte edhe më e luftuar, pasi Llapi gjeti golin e parë në këtë takim me anë të talentit Mërgim Cernaverni në minutën e 68-të.
Llapi në fund të ndeshjes mbeti me 10 futbollistë, pasi Granit Jashari u ndëshkua me kartonin e dytë të verdh dhe u përjashtua.
Deri në fund më gola nuk pati dhe Malisheva mori fitore me rezultat të ngushtë 2-1.
Me këto tre pikë Malisheva rikthehet në krye të kampionatit me 22 pikë sa ka edhe Ballkani, derisa Llapi mbetet në pozitën e gjashtë me 15 sosh.
Ndeshjen e ardhshme Malisheva e zhvillon në udhëtim te kampioni në fuqi Ballkani, derisa Llapi para adhuruesve të vet pret Prishtinën.